Dyshohej për kontaminim

Dyshohej për kontaminim

Pas njoftimit se dyshohet për ujë të kontaminuar në rajonin e fshatrave Gexhë, Denjë dhe Ratkoc të Rahovecit, ekipet e KRU Gjakova sot kanë dalë në teren dhe kanë bërë mostrimin e zonave të dyshuara për ndotje.

Gjatë mostrimit, janë bërë analizat e parametrave të terrenit, të cilat testohen në vendin e ngjarjes dhe kanë rezultuar të jenë në rregull.

Analizimi i mostrave ka vazhduar në laborator, duke analizuar të gjithë parametrat fiziko-kimik.

Rezultatet e analizave fiziko-kimike tregojnë se uji në këto tri fshatra i përmbushë standardet sipas udhëzimit administrativ 16/2012 për konsum të ujit të pijes nga njeriu.

“Duhet cekur se rezultati i analizave të parametrave mikrobiologjikë për shkak të procedurës analitike specifike të kohës së inkubimit nuk është e mundshme të dalim tani me rezultate. Vlen të ceket, se rezultatet e analizave mikrobiologjike, do të përmbushin standardet e ujit për pije të cekur më lartë, sepse i tërë tereni i mostruar është i mbuluar me sasi të nevojshme të dezinfektuesit, respektivisht klorit residual”, bëhet e ditur në njoftim.

Analizat e parametrave fiziko-kimik janë bërë në bazë të metodave standarde të ISO 17025 : 2005 të akredituara nga DAK (Departamenti i Akreditimit në Kosovë).