"Është koha të japim respektin më të madh për punëtorët e mirëmbajtjes së KRU 'Prishtina'"

“Është koha të japim respektin më të madh për punëtorët e mirëmbajtjes së KRU ‘Prishtina'”

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka apeluar që të mos hidhen mbeturinat në rrjetin e kanalizimit.

KRU “Prishtina” gjithashtu ka njoftuar se muajin e kaluar është intervenuar në mbi 350 raste, zhbllokime të pusetave të ujërave të zeza, pastrim i pusetave dhe vendosje të kapakëve të pusetave në tërë zonën e shërbimit.

“Vetëm ditën e djeshme kanë intervenuar në 7 raste në qytetin e Prishtinës, një rast në Fushë Kosovë dhe një në Drenas. Në këtë kohë pandemie, gjithnjë në përballje kundër përhapjes së virusit COVID-19, lusim të gjithë qytetarët të kenë kujdes dhe mos të hudhin  mbeturina, gjëra ushqimore të mbetura jashtë përdorimit, yndyrëra, faculeta të lagura në rrjetin e kanalizimit ( në guacën e tualetit dhe lavamanin e kuzhinës) të cilat janë të papërballushme për një sistem të kanalizimit i cili nuk është i dedikuar  për gjëra të panevojshme( të dëmshme), ngase po e dëmtojnë rrjetin e kanalizimit duke krijuar vështirësi për punëtorët tanë në zhbllokimin e tyre madje, duke u krijuar edhe telashe konsumatorëve në afërsi. Rastet e tilla zhbllokohen çdoherë nga ana e ekipeve të mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit, por mbeturinat e llojeve të ndryshme si ( përzierja e yndyrnave dhe mbetjeve të tjera të lëngëta e edhe të ngurta) po shkaktojnë shqetësime në shëndetin e punëtorëve dhe mund të krijohen kushte jo të favorshme për intervenim”.

KRU “Prishtina” ka bërë thirrje që të respektohen punëtorët dhe puna e tyre.

“Është koha të japim respektin më të madh për punëtorët e mirëmbajtjes së KRU “Prishtina” sepse puna e tyre në terren  sidomos në këtë periudhë me rrezikshmëri të lartë, është vërtetë e pashembullt. Gjithçka që ata po bëjnë është mënyra që ata kanë gjetur për t’u dalë në ndihmë secilit konsumatorë. Të ruajmë infrastrukturën e rrjetit të ujësjellësit dhe ujërave të zeza!”, thuhet në komunikatën e KRU “Prishtina”./21Media