Për nder të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti i shoqëruar nga kabineti i tij qeveritar ka bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Më pas, është ndalur te memorial i ushtarëve të rënë të NATO-s.

Ndërsa në fund edhe te shtatorja e heroit “Zahir Pajaziti”.

Nga aty, kryeministri tha se sot ka bërë homazhe në tri vende historike që simbolizojnë rezistencën e popullit shqiptar për liri.

12 Qershorin e vlerësoi si ditë të veçantë sepse gjithmonë kujtohen emocionet që qytetarët e Kosovës përjetonin ndërsa trupat e NATO-s hynin në Kosovë.

Bëmë nderime në tri vende simbolike te rezistencës të luftës në Kosovë dhe sakrificës të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Është ditë e veçantë si plotë ditë të tjera me rendësi për popullin e Kosovës por kjo është vërtetë një e rëndësishme dhe e veçantë sepse këtë ditë secili prej neve kemi parasysh entuziazmin dhe emocionet që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në ato ditë të qershori ndërkohë që trupat e NATO futeshin në Kosovë. Ajo është memoria jone kombëtare që dhe te jemi falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi pasur nga partnerët tanë ndërkombëtar për lirinë që sot e gëzojmë”, tha ai.

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë, në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

Hyrja e ushtarëve të NATO-s hapi rrugën e kthimit në shtëpitë, tokën dhe vendin e tyre mbi 1 milion shqiptarëve të Kosovës të degdisur refugjatë në dhjetëra vende dhe tre-katër kontinente të botës.