Kryeministri numëron sukseset e Qeverisë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, duke treguar kështu të arriturat e tyre, gjatë 3 viteve të ardhjes së saj në pushtet.

Megjithatë, në këtë mbledhje nuk munguan as kritikat e tyre për sistemin e drejtësisë, prej së cilës, sipas tyre, po mungon drejtësia në Kosovë.

Në fjalën e tij, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, janë ekzekutuar 555 milionë euro në investime kapitale, është rritur për 195 milionë euro buxheti për komunat dhe përmbi 100 milionë euro buxheti për shëndetësi, dhe në shumë lami të tjera.

“Vitin e kaluar u ekzekutuan 555 milionë euro në investime kapitale, që përbënë shifrën më të lartë ndonjëherë, ndërkaq borxhin publik e kemi më të ulëtin në Evropë. Këtë zhvillim ekonomik e kemi shpërndarë mbi parimin e rritjes së produktivitetit dhe konkurrencës së bizneseve tona, por edhe zhvillim të barabartë, barazi dhe mundësi për qytetarët tanë. Është rritur për 195 milionë euro buxheti për komunat, për të shtuar investime infrastrukturore, e për të përmirësuar shërbimet komunale. Është rritur përmbi 100 milionë buxheti për shëndetësi, barnat esenciale dhe trajtimin e sëmundjeve të rralla”, ka thënë Kurti.

Kurti theksoi se në kohën kur kemi kërcënime të sigurisë nga fqinji verior, Kosova është përgjigjur me dyfishim të buxhetit për ushtri dhe trefishim për buxhetin për armatim. Ndërsa, në veri është ulur ilegaliteti dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria duke mbyllur 27 rrugë ilegale, shkatërruar nëntë laboratorë droge, të kriptovalutave dhe depo të armatimit, dhe janë ngritur nëntë stacione policore për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit.

“Në kohën kur kemi luftë në Evropë, dhe kërcënime të sigurisë nga fqinji veriorë, jemi përgjigjur me dyfishim të buxhetit për ushtri dhe trefishim për buxhetin për armatim. Blemë dronët bajraktar dhe prokuruam reketët anti-tankë. Ndërkaq, në kazerma ka mbi 1852 ushtarë më shumë, të cilëve do t’i bashkëngjiten sivjet edhe 600 rekrut të rijnë. Në veri të vendit tonë është ulur ilegaliteti dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale dhe janë shkatërruar nëntë laboratorë droge atje, gjashtë të kriptovalutave dhe katër depo të armatimit. Për të rritur sigurinë, janë ngritur nëntë stacione policore për mbikëqyrje dhe kontroll të kufirit”, ka theksuar Kurti.

Ndërsa, duke përmendur sistemin e drejtësisë në Kosovë, Kurti ka deklaruar se si një popull ku është kryer gjenocidi dhe ku përdhunimi seksual ka qenë armë lufte, kundër popullit tonë e për robërimin e vendit tonë, do të duhej që të kemi dyfish më shumë përgjegjësi, ndershmëri, vetëdije për barazinë gjinore dhe për nevojën për t’i mbrojtur gratë dhe vajzat.

“Kemi nevojë që sistemi i drejtësisë t’i bëjë prioritet trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore dhe të jep dënime meritore për kriminelët. Ne të cilët kemi humbur e vuajtur kaq shumë, një popull ku është kryer gjenocidi dhe ku përdhunimi seksual ka qenë armë lufte, kundër popullit tonë e për robërimin e vendit tonë do të duhej që të kemi dyfish më shumë përgjegjësi, ndershmëri, vetëdije për barazinë gjinore dhe për nevojën për t’i mbrojtur gratë dhe vajzat. Njerëzit duhet të besojnë në sistemin e drejtësisë, ky besim është konkret, nëse qytetari përjeton padrejtësi, atëherë ai si viktimë duhet të besojë që gjyqësori do t’i jap mundësi për drejtësi, kompensim për padrejtësi, dhe ndëshkim për shkelësin apo kriminelin, kjo ndjenjë ende nuk ekziston në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë në pushtet u fol edhe për të arriturat e tjera.

Back to top button