Kryeministri i Rumanisë, Ludovic Orban është gjobitur për shkak të një fotografie të publikuar online, ku ai shfaqet duke pirë duhan në një dhomë me ministra të tjerë. Sipas mediave rumune, Orban ishte duke e festuar ditëlindjen e tij kur u realizua kjo fotografi.

Ai ka paguar dy gjoba në shumë prej 673 dollarësh për shkak se nuk ka vendosur maskë si dhe për pirje të duhanit në ambiente të mbyllura.

Edhe katër persona të tjerë që ishin me të u gjobitën, për shkak se nuk e kishin vendosur maskën siç duhet, njoftoi policia e Bukureshtit të shtunën.

“Kryeministri e di se rregullat duhet të respektohen nga të gjithë qytetarët, pavarësisht pozitës. Nëse ligji thyhet atëherë sanksionet duhet të zbatohen”,
agjensia kombëtare e lajmeve rumune Agerpres citoi një zëdhënës të qeverisë./21Media