Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka kërkuar edhe njëherë nga kryeministri Avdullah Hoti publikimin e marrëveshjes së arritur më 9 nëntor 2020, në lidhje me ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, marrëveshje kjo e negociuar nga vet kryeministri.

Kryetari i Lidhjes së Historianëve të Kosovës dega ne Deçan, Shkodran Imeraj thotë se fakt i publikimit të këtij lajmi nga kryeministri Hoti, tre ditë pas arritjes së marrëveshjes lë për të nënkuptuar se kjo e fundit nuk është në favor të qytetarëve të Deçanit.

“Marrëveshja të publikohet në tërësi. Nga kryeministri u tha se do të rehabilitohet. Ne e kemi te rehabilituar rrugën, kjo nënkupton se nuk do të asfaltohet. Pse duhet që rruga Deçan-Plavë të ketë bay pass, kur ekziston traseja e saj”, tha ai.

Për këtë Imeraj kërkoi që të dihen termat e referencës së marrëveshjes.

“Ne mendojmë se kjo marrëveshje nuk është asgjë më shumë sesa implementim i memorandumit gjerman i paraqitur më 2016 nga ish-ambasadori gjerman Peter Blomeir”, tha ai.

Ai tha se kanë kundërshtuar edhe nisjen e punimeve ne kohën sa ishte kryeministër Ramush Haradinaj, pasi siç tha ai, asnjë milimetër asfalt nuk është shtruar në zonën e veçantë.