Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa njoftoi se kryetarët e degëve të LDK-së i dhanë përkrahje Qeverisë së re të Kosovës dhe Kryeministrit Hoti.

Mustafa tregoi se në takimin e mbrëmshëm u theksua se Qeveria ka fuqi politike, dije dhe kapacitete të ballafaqohet me të gjitha sfidat aktuale; se Qeveria Hoti ka vizion për të ardhmen.

‘’Ishte një pajtim i përgjithshëm që tani pas zgjedhjes së ministrave të vazhdohet që të sigurohet një përfaqësim cilësor dhe sa më i drejtë nga terreni me zëvendësministra dhe me këshilltarë në digasteret qeveritare’’, shkroi Mustafa në Facebook.

Mustafa gjithashtu theksoi se natyrshëm është pritur që të gjithë deputetët e LDK-së të përkrahin qeverinë që drejtohet nga LDK-ja, duke pasur parasysh Statutin e LDK-së , përkrahjen që atyre iu është dhënë nga të gjitha degët në fushatë, mbështetjen maksimale logjistike dhe financiare nga qendra përkatësisht besimin që e kanë marrë nga votuesit si kandidatë të LDK-së.

‘’Ishte konstatim i përgjithshëm se në LDK kultivohet maksimalisht shprehja e mendimit të lirë, kultivohet beteja e individëve që qëndrimet dhe mendimet e tyre të marrin përkrahjen e shumicës, por se vendimet e shumicës duhet të respektohen si rregull elementare demokratike brenda LDK-së; se fundamenti rugovist i LDK-së, që konsiston në unitet dhe solidarizim të brendshëm, nuk mund të zëvendësohen dhe arsyetohet me protagonizëm individual, ego dhe sjellje populliste’’, shkroi Mustafa.

 

Qeveria Hoti është votuar me 3 qershor. Formimi i Qeverisë u votua me 61 vota për, ndërsa 24 kundër dhe një abstenim. /21Media