Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Këtë e ka konfirmuar ai përmes një shkrimi në Facebook, teksa ka bërë të ditur se AKK-ja po punon me kapacitete të kufizuara.

“Ju njoftoj se Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke punuar me kapacitete të kufizuara, meqë unë jam testuar pozitivisht me virusin COVID-19.
Menjëherë sapo më është konfirmuar rezultati, unë kam njoftuar kolegët e AKK-së, të cilët tashmë janë testuar dhe janë në pritje të rezultateve. Përveç tyre, kam njoftuar edhe personat e tjerë më të cilët kam pasur kontakt këto ditë.

Duke respektuar rekomandimet e autoriteteve përgjegjëse, ne do të punojmë nga shtëpitë tona, në mënyrë që ta mbrojmë shëndetin tonë dhe atë publik. Gjithsesi, mbesim të përkushtuar që edhe në këto kushte t’i kryejmë me përgjegjësi detyrat që na takojnë.”, ka shkruar mes tjerash Prestreshi.

Më tej ai ka bërë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është e mirë dhe është në vetizolim.

“Unë gëzoj shëndet të mirë dhe aktualisht jam vetëzoluar në shtëpinë time dhe po respektoj udhëzimet e autoriteteve shëndetësore për ta tejkaluar këtë situatë. Uroj që të gjithë kolegët e AKK-së të jenë mirë më shëndet dhe sa më shpejt t’i rikthehemi punës në kushte normale.”, ka shkruar më tej Prestreshi./21Media