FIBA Europe më 17 Qershor 2020 nga ora 10:00 do të organizojë videokonferencën e dytë për gjendjen e basketbollit, në këtë kohë të pandemisë me COVID-19.

Në adresë të FBK-së ka ardhur ftesa nga FIBA Europe, në emër të Kryetarit të FIBA Europe, Turgay Demirel dhe zëvendëskryetarit, John Goncalves, përgjegjës për federatat evropiane të renditura 33-50, në renditjen e Evropës.

Qëllimi i kësaj videokonference është të vazhdojë me vlerësimin e situatës aktuale që prek të gjitha Federatat Kombëtare Evropiane si rezultat i krizës COVID-19.

Në fund të muajit prill, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu, kishte marrë pjesë në një videokonferencë me Kryetarin e FIBA Europe, Turgay Demirel, Nënkryetearët Jean Pierre Siutat, Carmen Tocala dhe John Goncalves, si dhe krerët e disa Federatave Nacionale.

Në atë takim, Fetahu kishte raportuar mbi situatën aktuale në basketbollin vendor, anulimin dhe suspendimin e garave, problemet aktuale dhe potenciale me të cilat do të përballen akterët në sferën e basketbollit, si dhe paraqiti idetë e tij lidhur me përkrahjen e mundshme nga organizata botërore e basketbollit gjatë fazës së rimëkëmbjes nga efekti i pandemisë së krijuar me COVID-19./21Media