Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka reaguar lidhur me nënshkrimin që kryeministri Albin Kurti ka vënë nën emrin e Avdullah Hotit.

Kryeziu ka thënë se që nga fillimi kryeministri Kurti dhe kabineti i tij sfidohen nga individë ende të panjohuar nga adminsitrata e Zyrës së Kryeministrit.

“Vendimet dhe emërimet e nënshkruara nga ai, shpesh, vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar rrjedhin në media para se të ndahen me zyrtarë të brendshëm, dhe madje përgatiten shkresa me gabime teknike. Kapësit politikë të shtetit i kemi larguar me 14 shkurt dhe 22 mars, por sigurisht se ka shumë të tillë nëpër zyrat e shtetit”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu tutje ka thënë se në lidhje me vendimin nga mbledhja e fundit, ai është përmirësuar menjëherë. “Dokumenti i përmirësuar është protokolluar, por megjithatë shkresa e vjetër, para se të asgjësohet, është publikuar nga adminstrata. Administrata duhet t’i shërbejë kryeminsitrit të shtetit, jo ta luftojë atë”, ka shkruar Kryeziu në Facebook./21Media