Kryeziu: Shtimi i masave do ta thellonte padrejtësinë ndaj Kosovës
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për RTV21 ka thënë se shtimi i masave ndaj Kosovës do ta thellonte më shumë padrejtësinë.
Ai tutje ka shtuar se koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta.
”Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmorri BE ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, ka thënë Kryeziu.
Duke folur për mbylljen e nëntë zyrave të Postës së Serbisë në Veri të Mitrovicës si dhe hapjen e Urës së Ibrit, Kryeziu tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
”Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbyllja e nëntë zyreve të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontributi i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, tha Kryeziu.
Lidhur me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar vendosjen e masave të reja ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak sic tha dje zëdhënësi i BE-së Peter Stano, Qeveria e Kosovës nuk po tregon gatishmëri për koordinim në veprimet e saj në veri të vendit./RTV21/21Media