Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, thotë se pa miratimin e tri ligjeve: rishikimi i buxhetit, menaxhimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike, Kosova mund të futet në kolaps. Ai u ka bërë thirrje kuvendit që sa më shpejt të miratohen këto ligje.

Kështu ka deklaruar ai gjatë vizitës në komunën e Gjilanit ku dhe është takuar me kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin.

“E shfrytëzoj mundësinë t’i bëj presion pozitiv edhe kuvendit, që këto tri ligje t’i miratojë sa më shpejt që është e mundur. Këto kanë të bëjnë edhe me interesin dhe projektet që kanë të bëjnë me Gjilanin. Ministria jonë i ka disa projekte në vazhdim që kanë të bëjnë me qytetarët dhe komunën e Gjilanit. Ne kemi disa marrëveshje mirëkuptimi me komunën e Gjilanit për disa projekte. Por do të hyjmë edhe në marrëveshje të tjera varësisht prej miratimit të ligjeve”,ka shtuar Kuqi.

Mes tjerash ka thënë se presin edhe funksionimin e rrjetit të kanalizimit në komunën e Gjilanit.

“Jemi në një fazë të mirë sa i përket liqenit akumulues në Kamenicë, Kremenatë, që është projekt i Bankës Botërore, vlera fillestare është 27 milionë. Kurse kryerja e këtij projekti, mega-projekti për Kosovën vlera e tij është mbi 70 milionë euro. Në këtë projekt rregullohet çështja e problemit afatgjatë për furnizimin me ujë të Anamoravës, pra të Gjilanit. Presim jemi në procesin e shterjes drejt ratifikimit të kësaj marrëveshje ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Lajm të mirë e ka quajtur kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ratifikimin në Kuvend të projektit të impiantit për ujëra të zeza. Lutfi Haziri tha se shpreson që në vizitën e radhës të Kuçit, ai do të vije me masa, dhe mbështetje që sipas tij është interes i përbashkët.

“Besoj shumë që në këtë rrafsh do të gjejmë jo vetëm mbështetjen por edhe me siguri të madhe edhe mirëkuptimin edhe dashamirësinë që e kanë për programin e investimeve. Impianti i ujërave të zeza përfundimisht është ratifikuar në kuvend, është lajmi më i mirë, Faleminderit ministër për angazhimin që me përballua pas krejt asaj odisiade që e ka pasur me vota në kuvend. Por, lajmi i mirë bëhet kur të mbyllet procesi si i tillë. Lumi Mirusha në jug dhe veri përfundimi i këtij projekti madhor për Gjilanin, shtrati i lumit Stranishorka, parqet, efiqienca e energjisë dhe disa nga programet që janë madhore në Gjilan janë pjesë e ministrisë”,ka deklaruar Haziri.

Ministri i Ambientit dhe Ekonomisë, tha se plani për rimëkëmbje ekonomike ka të bëjë kryesisht me 9 masa, me të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërhyhet që të tejkalohet kjo krizë.  /kp