Nga: Charles Baudelaire

Përktheu: Anila Xhekaliu

Kjo jetë është një spital ku çdo i sëmurë zotërohet nga dëshira e ndrrimit të shtratit. Ky këtu do të dëshironte të vuante përballë sobës, dhe ai atje beson se do të shërohet ngjitur dritares.

Më duket se do të isha gjithmonë mirë aty ku nuk jam, dhe kjo punë shpërnguljeje është njëra që e diskutoj pa pushim me shpirtin tim.

«Më thuaj, shpirti im, shpirt i shkretë i ftohur, si thua sikur të banonim në Lisbonë? Atje duhet të jetë mot i ngrohtë, e do të shullëheshe si një hardhucë. Ky qytet është buzë ujit; thuhet se është ndërtuar me mermer, dhe se njerëzia aty ka një urrejtje për bimësinë, që i shkul të gjitha pemët. Ja një peisazh sipas shijes tënde; një peisazh bërë prej dritës e mineralit, dhe i ujshëm për t`i pasqyruar!”

Shpirti im nuk më përgjigjet.

«Meqë do shumë prehjen, me shfaqjen e lëvizjes, mos do të shkojmë të banojmë në Hollande, këtë tokën lumturiplotë? Kushedi do të dëfreheshe në këtë vis që ia ke adhuruar kaq shumë pamjen në muze. Si thua për Roterdamin, ti që i do pyjet e direkëve, dhe anijet e lidhura me ballamar me këmbën e shtëpive?»

Shpirti im mbetet memec.

«Batavia do të buzëqeshte kushedi më shumë ? Do gjenim veç kësaj shpirtin e lidhur kurorë me bukurinë tropikale.»

Asnjë fjalë. Shpirti im mos do të kishte vdekur?

«Mos ke ardhur në këtë pikë të mpirjes sa të pëlqen vetëm dhimbja jote? Në është kështu, ia mbathim kah vendet që janë shëmbëllime të Vdekjes. – E di ku do të shkojmë, shpirti im i shkretë! Nisemi për Torneo. Ikim ende më larg, në skajin e fundit të Baltikut; ende më larg jetës, në është e mundur; ngulemi në pol. Atje dielli e zë vetëm kithtas tokën, dhe zgjedhjet e detyrueshme të ngadalshme të dritës e të natës zhdukin larminë e rrisin monotoninë, këtë gjysmën e moseksistencës. Atje, do të mund të bëjmë banjo të gjata errësire, teksa, për t`u dëfryer, agimet boreale do të na dërgojnë herë pas here tufat e tyre të trëndafilta, si reflekset e një fishekzjarri Ferri!”

Më në fund, shpirti im shfryhet, e urtë e butë më thotë me zë të lartë: “Kudoqoftë! Kudoqoftë! Vetëm të jetë jashtë kësaj bote!”

Baudelaire, Poema të vogla në prozë, 1861, Pléiade, p.357