Familjarë, banorë të rajonit të Hasit dhe përfaqësues të OVL-UÇK-së, dega në Has bënë sot homazhe pranë varrezave të këtij vendi, në 22-vjetorin e rënies së heroit të kombit Haxhi Hotit, i njohur si komandant Lleshi, e dëshmorëve të tjerë të rënë gjate luftës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Has, Xhevad Thaçi tha se sot po përmbyllin “Javën e Dëshmorëve na Has” dhe se po kujtojnë me shumë krenari ata që dhanë jetën për liri.

“Sot në Has ne përfundojmë përvjetorin, që e quajmë ‘Java e dëshmoreve në Has’. Duke filluar me 2 qershor me rënien e Din Kolecit, dëshmorë nga treva e Hasit të Shqipërisë dhe përfundojmë me heroin e kombit Haxhi Hoti i trevës së Kosovës. Ne si organizatë e veteranëve për shkak të pandemisë nuk kemi arritur të bëjmë një manifestim më të nderuar për këta burra që e dhanë jetën”, tha ai.

Thaçi tha se në këtë përvjetor ndjehet i zhgënjyer me atë çfarë ka bërë shteti nga paslufta, për gjithë ata qe sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e Kosovës.

“Ndihem shumë keq para këtyre burrave, para këtyre grave e dëshmorëve, sepse kemi bërë gabime të trashëguara kohë pas kohe, paslufte. I kemi barazuar heronjtë edhe dëshmorët me një shtresë që vërtetë ishte e pakëndshme. E kemi barazuar edhe të mirën edhe të keqën, nuk kemi ditur të dallojmë heroin dhe dëshmorin, dhe njerëzit që kanë penguar çështjen kombëtare. Por i kemi barazuar, kemi banalizuar për teke tona personale”, shtoi Thaçi.

Kryetari i OVL-UÇK-së në Has pati edhe një apel për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

“Mos të shpërndajnë pa marrëveshjen me degën OVL Has, mirënjohje të subjekteve apo individëve, por të konsultohet me degën në Has. Sepse na kanë krijuar një nam problemesh. Duke i shpallur heronjtë përtej këtyre”, theksoi ai.

Ndërsa, Fetah Begolli, ish-ushtar i UÇK-së tha se shokët e Haxhi Hotit dhe vetë ai rrugëtimin e tyre drejt lirisë e kanë pasur me dëshirën më të madhe.

“Ne do Zoti vijmë e i nderojmë edhe viteve të tjera edhe kemi çfarë themi për Haxhi Hotin dhe shokët e vet. Në Rogovë të Hasit nuk është tradhtuar askush. Djemtë tanë kanë rënë duke i përcjellë ushtarët edhe tu i marrë ushtarët në kufi, na kanë rënë shumë djem. Por, Rogova e Hasit do të jetë krenare, Hasi do të jetë krenar sepse nuk u ka pre ne besë askush. Kjo është pasuria më e madhe”, u shpreh ai.

Pas homazheve pranë varrezave, gjatë ditës familjarë e banorë të Hasit u përkulën pranë lapidarit të Haxhi Hotit, në oborr të shkollës që mban emrin e heroit të vendit në Has të Rogovës.

Në Hasin e Shqipërisë dhe Kosovës, gjate luftës kanë rënë 90 dëshmorë./kp