​Kuka: Distria përsëri sjell medalje për Kosovën

Xhudistja jonë, Distria Krasniqi u stolis sot me medaljen e bronztë në Grand Slam Tbilisi të Gjeorgjisë.

Në kuadër të kategorisë deri në 52 kilogramë, Distria raundin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin e mposhti xhudisten ruse, Iana Zhilkina, raporton KosovaPress.

Krasniqi vazhdoi me fitore edhe në raundin e tretë, duke e mposhtur holandezen, Naomi Van Krevel, ndërsa xhudistja jonë u njoftua me humbjen në çerekfinale, ku u mposht nga spanjollja Ariane Toro Soler.

Pas humbjes, Distria vazhdoi në repesazh, ku në raundin e parë e mposhti zviceranen, Binta Ndiaye, ndërsa në finale të repesazhit, Krasniqi e mposhti kinezen Yeqing Zhu, fitore kjo e cila ia siguroi medaljen e bronztë sot.

Pas suksesit të sotëm të Distrias ka reaguar edhe trajneri i ekipit kosovar të xhudos, Driton Kuka.

“Distria 52 kg përsëri sjell medalje për Kosovën! Kësaj radhe e bronztë por në një rrugëtim drejt medaljes Olimpike ajo po tregon qëndrueshmëri në formën e saj pavarësisht në çfarë faze të përgatitjeve jemi për momentin drejt Paris 2024”, shkoi Kuka në “Facebook”.

Back to top button