Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, në seancën parlamentare tha se gjithçka që tash kanë ndodhur me Telekomin, bllokimin e llogarive bankare e më pas edhe tërheqjen e mjeteve monetare ka një histori të gjatë, tashmë edhe të njohur.

Në debatin për Telekomin, ministri tha se pas arbitrazhit kanë tentuar të bëjnë një zgjidhje të shpejtë dhe nënkupton që ka dilema për kontratën bazë me Telekomin dhe Dardafonin.

Kuçi theksoi se ka bërë përpjekje të pandalshme për të evituar këtë situatë. Ai tha se ka pasur takim edhe me menaxhmentin e Dardafonit, Bordin e Telekomit, kryetarin e Gjykatës së Apelit, e kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Ministri shtoi se nuk është gjetur marrëveshja deri tani, por tha se shteti duhet t’ju dalë zot 2315 punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Ne jemi gjendur përballë një akti të kryer. Neve na është dashur të vepronim që llogaritë të zhbllokohen. Çështja e kontratës bazë e asaj çka është nënshkruar edhe në fakt ka përfunduar si kontratë vitin e kaluar, duhet të jetë subjekt i hetimit…Ne kemi parë disa mundësi që ju si kuvend të na ndihmoni për të gjetur mënyrën për të dalë si qeveri prej kësaj situate. E para është mundësia e marrëveshjes për shlyerjen e detyrimeve, e dyta me dhënë subvencione Telekomit për të kryer borxhin… Të huazohen mjete nga qeveria në llogari të Telekomit mirëpo këto mjete të kthene në një periudhë të caktuar. Si mundësi t’i jepet kredi afatgjate Telekomit në kuadër të masave të pandemisë si dhe të shikohet mundësia e privatizimit të pjesshëm të Telekomit”, shtoi ministri.

Po ashtu, me rrezikimin e falimentimit të Telekomit, Kuçi tha se rrezikohet edhe siguria nacionale, ngase sistemi i komunikimit të institucioneve është tërësisht i bazuar mbi Telekomin e Kosovës.