Të gjithë fermerët e dëmtuar nga reshjet e fundit do të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë pas vlerësimeve të të gjitha dëmeve në bujqësi që janë mjaft të mëdha.

Kështu ka thënë sot ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa gjatë vizitës që iu ka bërë fermerëve në Gjakovë, Junik dhe Klinë.

Mustafa ka thënë tutje se pas mbledhjes së raporteve nga të gjitha komunat për dëmet në bujqësi, Ministria e Bujqësisë do t’i kompensojë financiarisht të gjithë fermerët e dëmtuar.

“Në këtë rast gjatë vizitave në terren po shfrytëzoj rastin të shoh edhe fermerët që janë dëmtuat nga reshjet e fundit në këtë regjion. Në bashkëpunim me institucionet komunale edhe komisionet që do të bëjnë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve për të bërë pastaj edhe kompensimin financiar të këtyre dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore. Momentalisht jemi në komunën e Klinës te një fermer që ka një serë grant nga Ministria e Bujqësisë që ka pësuar nga reshjet e fundit, e që do të shohim edhe mundësinë që pas vlerësimeve të këtyre dëmeve të bëjmë edhe kompensimin financiar”, ka thënë ai.

Për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve të fundit, ministri ka theksuar se është një proces që merr kohë.

“Është një proces që merr kohë, duhet mbledhur raportet e të gjitha komunave, nuk është vetëm kjo komunë, fatkeqësisht është një numër i madh i komunave ku kanë pësuar fermerët nga fatkeqësitë natyrore ose nga reshjet e fundit. Do të bëjmë një përmbledhje përfundimtare nga të gjitha këto raporte për të gjithë fermerët, do të nxjerrim edhe një vendim në Qeveri dhe pastaj Ministria e Bujqësisë përmes buxhetit që për herë të parë më 2020 për të vazhduar edhe më 2021 kemi një buxhet të ndarë ose kod të veçantë për kompensimin e këtyre dëmeve”, ka theksuar Mustafa.

Ai gjatë vizitës te fermeri Milot Jusufi në Bokshiq të Klinës, ka thënë se kanë parë nga afër edhe rezultatet e punës së dy programeve të Ministrisë së Bujqësisë, programi për grante në vlerë 29 milionë euro për periudhën korrik 2020-dhjetor 2021 dhe mbi 70 milionë euro të formave të ndryshme të subvencioneve dhe kompensimin e dëmeve.

Po ashtu ministri në detyrë ka vizituar edhe fermerin Bardhyl Marmullaku në Klinafc të Klinës.