Kur duhet të lajmërohemi te dermatologu për thonjtë?

 
Thonjtë paraqesin struktura brinjore që mbulojnë 1/5 dorzale të sipërfaqes së gishtave (rreth 30% gishtat e mëdhenj). Përpos funksionit mbrojtës dhe kontributit motorik për lëvizje fine të gishtërinjve, në shumë kultura dukja dhe mirëmbajtja e thonjve është e lidhur ngushtë me perceptimin e bukurisë.
Dr. Artina Pajaziti, specializante e dermatovenerologjisë në një intervistë për rtv21.tv ka thënë se në aspektin mjekësor, thonjtë konsiderohen pasqyrë e gjendjes së organizmit.
Dr. Pajaziti tutje ka shpjeguar se secili ndryshim, qoftë në fortësinë, kurvaturën e thoit, ngjyrën, teksturën apo në indet e buta përreth mund të jetë tregues për ndonjë proces patologjik lokal apo sistemik.

Çka konsiderojmë thonj të shëndoshë?
“Thonjtë e shëndoshë janë të lëmueshëm në sipërfaqe, pa gropa ose thellime. Ata janë me ngjyrë uniforme roze (të cilën ja jep rrjeti vaskular që gjendet nën pllakën e thoit) dhe pa njolla”.
Sa shpejt rriten thonjtë?
“Rritja e thonjve është proces i vazhdueshëm, që dallon sipas moshës dhe gjendjes së organizmit. Në kushte fiziologjike, thonjtë e gishtave të mëdhenj të dorës rriten 2-3mm/muaj, që dmth se për zëvendësimin e plotë të një thoi nevojiten 6 muaj. Për dallim nga thonjtë e duarve, thonjtë e këmbëve rriten shumë më ngadalë: 1mm/muaj. Për zëvendësimin e plotë të një thoi të madh të gishtit të këmbës nevojiten 12-18 muaj. Në rritjen e thonjve ndikon edhe gjendja e lëkurës. Për të qenë vitalë, thonjtë kërkojnë lëkurë të hidratuar”.
Çka e shpejton dhe ngadalëson rritjen e thonjve?
“Në shpejtimin e rritjes së thoit luan rol nxehtësia. Temperaturat e larta shpejtojnë rritjen e thoit, teksa i ftohti ka rol inhibues në rritje. Sëmundjet si psoriaza dhe hipertiroidizmi poashtu shpejtojnë rritjen e thonjve, ndërsa gjendjet me ethe, hipotiroidizmi, sëmundjet e mushkërive (tuberkulozi, pneumonia) e infeksionet me myshqe të thonjve ulin shpejtësinë e rritjes së tyre”. 

Dr. Pajaziti ka shpjeguar se çka mund të nxisë trashjen ose t’hollimin e thonjve.

Ajo ka thënë se sëmundjet e shtratit të thoit shkaktojnë trashje të pllakës, përderisa sëmundjet e matriksit të thoit shkaktojnë t’hollim të tyre. “Trashja e pllakës së thoit mund të jetë e lindur ose e fituar gjatë jetës. Haset te sëmundjet inflamatore si psoriaza, pityriasis rubra pilaris e mykozat e thonjëve. Për dallim, t’hollimi i thonjve paraqitet si shenjë e sëmundjeve që pengojnë procesin e keratinizimit të matriksit të thoit. Thonjtë e hollë paraqiten me teksturë rigjide, me fisura, qarje e gropëzime. Si shkaktare potencialë mund të jenë traumat, lichen planus, sëmundjet sistemike si amiloidoza, etj”, ka shpjeguar Dr.Pajaziti.
Tutje, Dr.Pajaziti ka treguar se kur duhet të lajmërohemi te dermatologu për thonjtë.

Dr.Pajaziti në intervistën për rtv21.tv ka thënë se ndryshimet në kualitetin apo strukturën e thoit/thonjve si ndërrimi i transparencës, njollat, gropëzimet, dhimbja e strukturave të indeve të buta përreth, trashja e pllakës apo t’hollimi i saj duhet të përcjellen. Ajo tutje ka thënë se faktorëve provokues, për të cilët jemi në dijeni që shpijnë në dëmtim të thonjve, duhet shmangur.
Dr.Pajaziti ka thënë se në rast se kujdesi vetanak nuk është i mjaftueshëm për thonj të shëndetshëm, atëherë duhet të lajmërohemi te dermatologu për këshilla dhe trajtim adekuat dhe profesional./21Media

Back to top button