Dy fjalë për Pavlina Manin

Nga: Zhuljeta Grabocka

Kërkesën për të thënë diçka për Pavlina Manin e ndjeva së brendshmi. Përjetimit tim si spektatore e shikuese e ekranit të vogël, në të gjitha rolet e saj, në teatër e kinematografi, i bashkoj përjetimet e vlerësimet e të gjithë dashamirësve të artit shqiptar, të cilëve ajo u ka rrëmbyer zemrën për disa dekada.

Nuk e kam njohur personalisht nga afër. Por rruga e gjatë e aktrimit të saj, njihet prej të gjithë brezit tim. Atë, Pavlina e ka filluar herët, që në kohën kur ishte studente, dhe nuk mund ta shkëpus nga marrëdhëniet e goditura të partneritetit, që ajo ka krijuar e ka realizuar në secilin rol me aktorët tjerë.

Loja e saj është ndier te spektatori, e ngrohtë e me një drithërimë femërore, që i ndihet në të gjithë indin e profilit të saj artistik. Ajo krijon karakter, duke tipizuar fenomenin në realizimin e thelbit të gruas, përballë burrit, fëmijëve e shoqërisë. Iluminimin ajo e ka të përmbajtur, e ndërgjegjshme se mishëronte dramën e gruas në afirmimin shpirtëror e psikik në të gjithë problemet sociale, në përditshmërinë e parikthyeshme.

Historia e teatrit tonë klasik dhe e kinematografisë sonë të re, ka krijuar ikonat tona femërore, që rrinë si gurët e një gjerdani të artë. Ato reflektuan prej artit botëror mjeshtërinë e artikulimit artistik të fjalës e lojës skenike, natyrshmërinë para kamerës, me pasion e dashuri për artin e vërtetë.

Repertori i kohës kur ato u formuan nuk duhet nënvlerësuar. Në atë kohë u vunë në skenë kryevepra të artit dramatik botëror, por u krijua e u pasurua fondi i dramës kombëtare. Arti dhe misioni i tij i tejkalon konjukturat politike e ideologjike edhe pse me dhimbje. Në të përjetshmen artistike nuk mund të mbijetojnë antivlerat. As arti për art nuk mund të përjetohet pa u ndier shpirti universal e i lirë i njeriut.

Pavlina Mani edhe sot vlerësohet nga shikuesi për realizëm e vërtetësi në dhënien e mentalitetit të një epoke të tërë historike. Ajo ka një profil të spikatur dhe përgjegjësi në realizimin e cdo roli. Në to ajo ndihet komode, edhe kur përjeton dramën e dilemat e dhimbshme, edhe kur zëri i saj gurgullon bindshëm në situatat komike. Ajo luan pa e përsëritur veten, plot natyrshmëri e besueshmëri. Aktorja ka krijuar galerinë e personazheve me freski e plotësi, pa bujë e plot fisnikëri. Në shkollën e aktrimit ajo është shembulli se në art duhet hyrë për të mos dalë kurrë.