Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu Orjela Apolloni

Kur të jesh plakur, thinjur dhe përgjumur të jesh,
përkulur pranë zjarrit këtë libër ngadalë lexo,
për shikimin e butë që patën sytë e tu ëndërro
dhe për hijet e tyre të thella që më s’do t’i kesh.

Sa shumë të tjerët t’i deshën çastet madhështore
dhe dashuruan bukurinë tënde, rrejshëm a vërtet,
por veç një burrë pas shpirtit tënd pelegrin u tret
dhe ta deshi fytyrën që e ndryshuan brengat njerëzore.

Dhe duke u përkulur në vatrën e oxhakut,
murmuron, pak trishtueshëm, se si iku kjo Dashuri
dhe fluturoi përmbi male, atje në lartësi,
duke fshehur fytyrën e saj mes yjesh.