Sot bëhen 10 vjet që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Kreu i VV-së, Albin Kurti përmes një shkrimi në “Facebook”, u shpreh se dështimi i Serbisë në GjND nuk u shfrytëzua nga Kosova.

“Është për të ardhur keq që në këtë dekadë ky mendim i GjND-së më së shumti u përmend te fusnota që iu mbivendos emërtimit të Kosovës. Në vend se ta forcojë subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe shtetëndërtimin e brendshëm, qeveria e atëhershme pat hyrë në dialog teknik e pastaj politik me Serbinë, gjithnjë për çështje të brendshme të Kosovës, duke e mbuluar rëndësinë e këtij vendimi dhe duke lejuar që të krijohet përshtypja se Kosova po rinegocion statusin e saj”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij GjND na ka pajisur me një armë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Por, sipas Kurtit “kurrë s’është vonë për ta mirëpërdorur”.

Kryetari i Gjykatës, Hiasashi Ovada tha se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Sipas gjykatës nga të gjitha të dhënat pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe kornizën kushtetuese të UNMIK-ut./21Media