Kurti: Instalohen 15 stacione të reja, 140 Mbps është shpejtësia e internetit në veri

140 Mbps është shpejtësia e internetit në Çabër të Zubin Potokut, kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai përmes një shkrimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se është bërë zëvendësimi në stacionin bazë të transmetimit, me kalimin në teknologjinë Ericsson nga ajo Alcatel, ku janë instaluar 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë.

“Për një montim të këtillë dikur paguheshin nga 7500 deri 8500 euro kompanive private gjersa të punësuarit e Telekomit nuk punonin. Tash, punëtorët e Telekomit instaluan edhe 15 stacione bazë të reja në veri, nga vetëm pesë sosh sa ishin më parë. Telekomi i Kosovës udhëhiqet nga mbulimi dhe cilësia e shërbimit publik dhe jo thjesht nga përfitimi financiar vetjak. Komunikimet elektronike janë e drejtë dhe nevojë e qytetarëve të cilat Telekomi i Kosovës i bën mundësi dhe garanci për qytetarët. Vitet 2024 dhe 2025 janë vite të Kosovës 5G. Vala në çdo cep të shtetit, në çdo vend të Republikës”, ka shkruar kryeministri.

Ai ka shkruar tutje se Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj, u ka bërë thirrje gjyqtarëve dhe prokurorëve që të jenë në shërbim të publikut, “e jo të oligarkëve që duan të vazhdojnë të rrjepjen dhe gjymtimin e Telekomit”./21Media

Back to top button