Kurti: 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mohuar masakrën e Reçakut

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në akademinë përkujtimore të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, tha se 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut.

Kurti, duke folur për Aleksandar Vuçiqin, tha se atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ai e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimi.

“25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror, nga ushtria tek mjekësia ligjore dhe nga media tek propaganda shtetërore, për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për t’a fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit” dhe dihet se kush ishte atëherë Ministër i Informacionit, në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Atëherë nga pozita e Ministrit të Informacionit, kurse sot nga ajo e Presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit, të kryer nga shteti i Serbisë”, ka thënë Kurti.


Kurti: Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i urryer në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë homazheve që i bëri të hënën në Reçak ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.

Ai ka thënë se Walkeri vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe i urryer në Serbi, pasi e foli të vërtetën mbi masakrën dhe krimin kundër njerëzimit të kryer nga Serbia.

“Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka kujtuar edhe 11 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kanë rënë në betejë duke mbrojtur trupat e masakruar në këtë fshat.

 

Back to top button