Kurti: BE sa më shpejt të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Nën udhëheqjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot u mbajt mbledhja e tretë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Kjo mbledhje u organizua për qëllim të diskutimit dhe koordinimit lidhur me mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit (KSA), e cila do të mbahet në javën e dytë të muajit dhjetorit në Bruksel.
Edhe pse e katërta me radhë, kjo do të jetë mbledhja e parë e KSA-së pas marrjes së detyrës nga Qeveria e re.
Në takimin e Këshillit Ministror për Integrim Evropian, kryeministri Kurti tha se kemi arritur të heqim pengesën kryesore në zbatimin e MSA-së, atë të mungesës së stabilitetit politik.
“Stabiliteti politik dhe legjitimiteti demokratik janë parakushte që kanë munguar, e që zgjedhjet e 14 shkurtit i kanë mundësuar për të krijuar pronësinë vendore, që nevojitet për zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian. Gjatë këtyre tetë muajve të qeverisjes kemi miratuar dhe po zbatojmë në afate kohore prioritetet politike për integrim evropian ose Agjendën për Reforma Evropiane (ERA II), ndërkaq në anën tjetër presim që Bashkimi Evropian sa më shpejt të heqë regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh më tej kryeministri Kurti.

Back to top button