Lideri i VV-së, Albin Kurti para mediave u deklarua pas publikimit të aktakuzës së Speciales ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Sipas Kurtit, ajo çfarë po ndodhë sot është si pasojë e gabimeve të mëhershme.

“Pasnesër bëhen pesë vite kur pat dështuar amandamentimi i Kushtetutës të Kosovës me atë nenin 24, që i hapte rrugë formimit të Gjykatës Speciale. Ndërkaq me 3 gusht sivjet bëhen pesë vjet kur i njëjti nen si amendamentim i Kushtetutës së Kosovës kaloi pas trysnisë së paparë që u reflektua me përdredhje duarsh të deputetëve. Ajo çfarë po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të moçme.”, u shpreh Kurti.

Lideri i VV-së u shpreh se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë.

“Nuk e di a është ashtu, por, e di që lufta e UÇK-së, është luftë e drejtë është luftë kundër një agresori dhe okupatori i cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë, veteranët e invalidët e UÇK-së, edhe politikisht edhe historikisht janë në të drejtën e tyre e tonë.”, deklaroi Kurti para mediave.

Kurti deklaroi se se ngritja e aktakuzës për presidentin e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“S’do mend se kjo ngritje e aktakuzës e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një takim i tillë nuk do të mund të ishte i dobishëm në rrethanat e tjera të krijuara. Unë besoj në pafajësinë e UÇK-së, dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti ta ketë gjyqësinë e vetë të paanshme që të hetojë gjykojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes dhe mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë, dmth VV ka kontribuar në dy momente të rëndësishme, i pari është ai i majit të vitit të kaluar, kur është ndryshuar kodi i procedurës penale, që të mundësojë gjykimin dhe dënimin e kriminelëve në mungesë. Dhe momenti tjetër, ai i Qeverisë sonë, të shkurtër, por shumë të mirë, kur kemi nisur me ekspertët për procesin e Vettingut.”, deklaroi ai mes tjerash.