Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar besimtarët msylimanë për Kurban Bajram, duke thënë se kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë.

Si festë e sakrificës, Kurti kërkoi nga të gjithë besimtarët që kësaj radhe të sakrifikojnë duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten.

“Çka shkon te Zoti nuk është mishi e gjaku i sakrificës, por qëllimi i mirë, drejtësia, adhurimi e dashuria. Në këtë festë, synim nuk është kënaqja e vetes, por afirmimi i kujdesjes për tjetrin. Prandaj sipas rregullit kurbani ndahet në tre pjesë, dhe vetëm njëra mbahet për vete e familjen e ngushtë. Dy të tjerat, pra pjesa më e madhe e sakrificës, u dhurohen të varfërve, por edhe fqinjëve, miqve e familjes së gjerë. Kjo është festë e solidaritetit. Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë. Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten. Uroj që festën ta kaloni lumturisht, dhe të na sjellë të gjithëve fat e mbarësi për javët e muajt në vijim, sepse kemi nevojë. Por ju lutem, mbani distancë, përdorni maskat, kufizoni maksimalisht takimet e vizitat me persona jashtë familjes suaj. Bëjeni këtë sakrificë për familjen e fqinjët, për bashkëkombasit tuaj. Edhe një herë, me fat Kurban Bajrami!”, ka shkruar Kurti.

Sot besimtarët myslimanë festojnë Festën e Kurban Bajramit e cila njëherit është festa e dytë më e madhe për myslimanët pas Fitër Bajramit./21Media