Kurti: Dëshmorët janë dëshmuar, ne duhet të dëshmohemi tek ata

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot bëri homazhe te varri i heroit të kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit doktor Hazir Mala, në 23-vjetorin e rënies së tyre.

Gjatë nderimeve për ta, siç informoi qeveria, Kurti, tha se rënia e Ilirit dhe Dr. Hazirit e ngriti vetëdijen tek të gjithë qytetarët e vendit, te i gjithë populli, në veçanti te të gjithë veprimtarët politikë, se duhet organizuar sa më parë për çlirimin e vendit meqenëse duhet larguar okupatori serb një ditë e më parë.

“Dëshmorët janë dëshmuar. Ne duhet të dëshmohemi tek ata, dhe, në këtë mënyrë, edhe të ecim drejt në rrugën që e kanë shtruar ata, por njëkohësisht edhe të jemi në nivel të përgjegjësive që kemi. Heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kanë kryer pjesën më të madhe të punës. Neve, ndonëse e rëndësishme, na ka ngelur një pjesë më e vogël e punës, e të cilën duhet ta kryejmë me nder, me progresin në mendje e me dëshmorët në zemër.”, u shpreh Kurti.

Sot bëhen 23 vjet nga vrasja e njërit ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njërit ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, Ilir Konushevci.

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, Ilir Konushevci është vrarë në mëngjesin e hershëm të datës 9 maj 1998, atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb, së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa ishin duke udhëtuar për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim.

Vrasja e Ilirit ka shkaktuar humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror. Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së ka shkruar rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ka qenë ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në./21Media

Back to top button