Kryeministri në detyrë Albin Kurti, sot zhvilloi një bisedë telefonike me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera regjionale në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Kurti dhe Lajçak fillimisht biseduan për situatën me pandeminë COVID-19 në Kosovë. Mes tjerash, u diskutua për kalimin në fazën e dytë të lirimit gradual të masave, dhe rezultatet e fundit në menaxhimin e COVID-19 sipas të cilave numri i të shëruarëve është 3-fish më i lartë së numri i rasteve aktive.

Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Kurti përsëriti përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj. Me këtë rast, Kurti e falënderoi Lajçak-un për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve.

Kryeministri në detyrë po ashtu parashtroi kërkesën dhe nevojën për një vendim sa më të shpejtë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës./21Media