Shërbimi televiziv publik i pavarur, bazuar në shembujt dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, ishte tema e takimit virtual mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, me drejtorin e përgjithshëm të Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), Noel Curran.

Kurti theksoi gatishmërinë dhe përkushtimin e Qeverisë, për të adoptuar mënyrat më të mira të financimit të Radio Televizionit të Kosovës, sipas parimeve të Këshillit të Evropës dhe Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU).

U bisedua për disa nga vështirësitë me të cilat ballafaqohet transmetuesi publik i Kosovës, të cilat janë nënvizuar edhe në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian.

Qeveria ritheksoi përkrahjen për parimet udhëheqëse të EBU-së për televizionet publike dhe Deklaratën e Këshillit të Evropës mbi Financimin e Televizioneve Publike, duke u përqendruar në financim të qëndrueshëm dhe adekuat, të justifikueshëm dhe transparent ndaj publikut./21Media