Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka mbajtur sot fjalim në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe Të Drejtat e Fëmijëve, që siç tha ai, po organizohet jo vetëm në ditën e fëmijëve të 1 Qershorit, por edhe në ditën që Qeveria hapi çerdhet për të gjithë fëmijët pas gati tre muaj ndërprerjeje.

Kurti theksoi se gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve.

Në fjalën e tij ai tha se fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët. Prandaj është thelbësore se si ne i edukojmë fëmijët, si në familje ashtu edhe në shkolla dhe komunitet.

Kurti ngriti shqetësimin se në Kosovë mbështetja nga babai për të mësuar është shumë më e ulët sesa nga nëna, ku 6% të baballarëve u ndihmojnë fëmijëve me mësime, krahasuar me 42.8% të nënave. 

Edukimi në familje ndërlidhet edhe me të drejtat e grave pasi që familja është aty ku mësohen rolet gjinore. Të drejtat e grave fillojnë me të drejtat e vajzave. Shembulli se si djemtë duhet të sillen ndaj vajzave, se si burrat duhet të sillen ndaj grave, tregohet dhe modelohet fillimisht në mënyrën se si babai sillet ndaj nënës“, tha Kurti.

Tutje kryeministri në detyrë shtoi se ” le të punojmë që fëmijëve në mbarë vendin t’ua ndërtojmë të ardhmen që ata e meritojnë; të kujdesemi që çdo fëmijë të ketë shtratin e butë, e shtëpinë e sigurt; të kujdesemi që të ketë ushqimin e mirë dhe praninë e kujdesin e prindërve; të kujdesemi që të ketë shkollimin cilësor dhe mundësitë e barabarta“./21Media