Kurti kujton demonstratëne e '81-ës

Kurti kujton demonstratëne e ’81-ës

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka kujtuar demonstratën e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Sipas tij, kjo demonstratë shënon çbërjen e Jugosllavisë dhe çlirimin e Kosovës.

“Sot bëhen 38 vjet që prej organizimit të demonstratës së studentëve të Universitetit të Prishtinës më 11 mars 1981. Historianët bien dakord se ajo demonstratë shënon fillimin e një procesi të pandërprerë që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë, e deri në çlirimin e Kosovës. Fillimisht ishte një protestë spontane, tek mensa e studentëve. Aty të rinjtë u revoltuan ndaj shërbimit e kushteve të këqija. Por kjo protestë spontane e studentëve u shtyp brutalisht, dhe prandaj shumë të tjerë u solidarizuan dhe vendosën të organizojnë demonstratën e 11 marsit. Ndryshimi mes protestës e demonstratës nuk është vetëm te numri i pjesëmarrësve. Protesta mund të jetë spontane, rrjedh prej revoltimit aty për aty kundër diçkaje të papranueshme. Ndërsa demonstrata është e organizuar, masive, është populli që demonstron se është i gatshëm të vetëvendos e të vetëqeveriset, ta marrë vetë në dorë fatin e vet.”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka përmendur edhe demonstratat tjera që pasuan, teksa ka shkruar se regjimit iu dridhën këmbët, e studentëve as çerpiku.

“Populli si koncept politik dallon nga popullata si koncept statistik, pikërisht sepse i pari organizon vetveten në disiplinë të tillë. Demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga studentët e nxënësit e shkollave të mesme, shpejt u mbështetën edhe nga punëtorët, duke i dhënë fillim një pranvere shqiptare. Ato u shtypën dhunshëm, por çdo pushtet që përballet me demonstrata e vendosmëri të tillë, fundin e ka afër, sado i fuqishëm e i dhunshëm të jetë. Pas demonstratave të 11 marsit, u organizuan të tjerat më 26 mars, e pastaj edhe më 1 e 2 prill 1981. Regjimi jugosllav u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Prishtinë e Mitrovicë. Por tashmë kërkesat e demonstruesve për Republikë e për Vetëvendosje ishin gdhendur në vetëdijen e popullit, dhe nuk mund të harroheshin më. Regjimit iu dridhën këmbët, ndërkaq studentëve as qerpiku. Qindra studentët e arrestuar u çuan në dhoma torturash, ku kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme, megjithatë nuk u thyen. Forca e studentëve të 1981 ende sot rrezaton tek ne, si shembull për rininë e për popullin, që nuk duhet t’i lejojë kurrë kompromiset e pushtetit me lirinë, me mirëqenien e me drejtësinë, të cilat ishin e janë kërkesat tona.”, ka shkruar më tej ai.

Protesta spontane e studentëve të Kosovës, të cilat u mbajtën në Prishtinë më 4 mars 1981 për kushte më të mira në mensën e studentëve, e cila ishte shtypur me dhunë nga policia, shkaktoi demonstratën e organizuar të studentëve më 11 mars, e cila po ashtu u shtyp me dhunë dhe u paraburgosën disa studentë. Më këtë fillon edhe zinxhiri i demonstratave të ’81-ës.

Si pasojë rrjedhin tubimet e njohura si “Demonstratat e Punëtorëve”, në të cilat punëtorët kërkonin lirimin e studentëve të burgosur. Përsëri, organet shtetërore intervenojnë me tërë brutalitetin e tyre. Gjatë këtyre tubimeve, Armata Jugosllave paraqet prezencën e saj./21Media