Kurti kritikon prokurorinë dhe gjyqësorin: Asnjë mosveprim nuk do të kalojë i pandëshkuar

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se përgjigja institucionale ndaj krimeve mizore e trajtimeve çnjerëzore ndaj gruas duhet të jetë e pandalshme, por inicialisht ky ndryshim duhet të fillojë nga vetë ne.
Kurti në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, tha se kjo luftë e gruas për mbijetesë brenda mureve të shtëpisë është luftë e shoqërisë, luftë e shtetit në përkrahje të grave dhe të vajzave dhe ne duhet të ua dëshmojmë përditë se ato nuk janë vetëm.
Kurti ka thënë se Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë.
“Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale. Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë”, tha Kurti ndër të tjera në takimin e Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili është mbajtur sonte me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.
Vrasja e fundit ka ndodhur më 30 nëntor, kur një grua shtatzënë është qëlluar për vdekje në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë. I dyshuar kryesor për vrasjen është bashkëshorti i saj, i cili më pas vrau veten.
Kjo është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë, pasi më 25 nëntor u raportua se një burrë e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë. Ngjarja kishte ndodhur po ashtu në Prishtinë./21Media
 

Back to top button