Kryeministri në detyrë Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave e Transfereve, Besnik Bislimi sot kanë zhvilluar një bashkëbisedim virtual me përfaqësues dhe ndërmarrës të platformave ekonomike në Evropë.

Kurti tha se Qeveria që ai drejton dëshiron që të promovojë një komunikim të dyanshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës me diasporën. Ai e falënderoi diasporën për angazhimin gjatë pandemisë COVID-19 dhe mbështetjen financiare e cila tashmë ka kaluar vlerën 720 mijë euro. 

Diaspora ka një rëndësi shumë të madhe për Republikën e Kosovës dhe kjo rëndësi e saj është reflektuar në vëmendjen që ajo ka në Programin e Qeverisë. Në këtë drejtim, ne e mendojmë ta fuqizojmë rolin e ndërmjetësues të diasporës në takime të niveleve të larta tek vendimmarrësit politikë dhe korporatat e mëdha në vendet ku ata jetojnë, duke krijuar mekanizma, sikurse ai i Këshillit Nacional për Investime të Huaja dhe Strategjike, që do të vendoset në kuadër të Zyrës së Kryeministrit“, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Tutje ata thonë se e shohin diasporën si kapital human, përpos financiar.

Për këtë arsye ne do të fokusohemi në krijimin e një programi nacional që në bazë ka transferin e dijes dhe përvojës nga diaspora në Kosovë. Duke vlerësuar se diplomacia dhe diaspora janë të pandashme në shumë fusha, dhe me qëllim të ristrukturimit të përfaqësimit, kjo qeveri ka bashkuar Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike me Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për këtë jemi bazuar në modele të suksesshme ndërkombëtare, sikurse ai i Irlandës“, thuhet tutje në njoftim.

Kurti gjatë bashkëbisedimit uroi që sa më shpejt të hapen kufijtë e Kosovës për bashkatdhetarët.

Kryeministri poashtu e njoftoi diasporën se Ministria e Financave dhe Transfereve është në përgatitje e sipër të pakos së dytë fiskale, atë të rimëkëmbjes ekonomike, e cila ndër të tjera për qëllim do ta ketë riorientimin e ekonomisë dhe përfshirjen sa më aktive të diasporës në rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik. 

Në fund, Kurti siguroi bashkëbiseduesit se Qeveria që ai drejton është duke punuar që të krijojë të gjitha kushtet për të investuar në atdhe./21Media