​Kurti i propozon Stoltenbergut hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO

Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku roli historik i NATO-s në Kosovë dhe kontributi i vazhdueshëm i misionit të KFOR-it për sigurinë dhe paqen në vend, krahas zhvillimeve të fundit në vend dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve, ishin temat kryesore të diskutimit të sotëm.

Kryeministri Kurti që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, fillimisht shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për kontributin e çmuar të NATO-s në Kosovë.

Kurti propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO

Ai e njoftoi Sekretarin Stoltenberg për qeverisjen dhe për vëmendjen që iu është kushtuar investimit në mbrojtje, arsim, shëndetësi dhe bujqësi.

Kryeministri Kurti kërkoi nga Sekretari i përgjithshëm Stoltenberg bashkëpunimin e ngushtë me NATO-n për paqen dhe sigurinë.

”Në takim u fol edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel. Kryeministri e njoftoi Sekretarin për mbarëvajtjen e atij takimi, dhe qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës kundruall planit evropiano-amerikan për rrugën përpara drejt zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike. Me këtë rast, kryeministri Kurti nënvizoi edhe një herë rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe, si dhe propozoi hapjen e një zyre diplomatike të Kosovës në NATO”, thuhet në komunikatë.

Back to top button