Kurti ka cekur se letra e sotme e tij nuk është refuzim për të dhënë emrin e kandidatit për kryeministër

Kurti ka cekur se letra e sotme e tij nuk është refuzim për të dhënë emrin e kandidatit për kryeministër

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai përmes kësaj letre ka shprehur edhe një herë se LVV kërkon që zgjedhjet të maben pas kalimit të situatës me pandeminë e koronavirusit dhe jo tani.

“Mirëpo ajo që nuk e kam të qartë, është standardi i dyfishtë që Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi në rrugë jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon në aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni këtë?”, thuhet ndër tjerash në letrën e Kurtit.

Kurti përkujton se Gjykata Kushtetuese në paragrafin 84 të Aktgjykimit të saj në rastin KO 103/14 ka konstatuar se presidenti mund të konsultohet vetëm me partinë politike ose me koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, qoftë shumicë absolute, qoftë relative, andaj duke zhvilluar takime të tilla konsultative me partitë politike, presidenti Thaçi ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas Kurtit nuk është detyrë që presidenti i vendit të imponojë shkresa duke kërkuar emra kandidatësh për kryeministër, sidomos jo në një periudhë të emergjencës shëndetësore në të cilën ndodhet Kosova për shkak të COVID-19.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti po ashtu ka cekur se letra e sotme e tij nuk është refuzim për të dhënë emrin e kandidatit për kryeministër.

“Është një rikujtim i kornizës së kompetencave tuaja dhe obligimeve kushtetuese që bien mbi institucionin e Presidentit të Republikës së Kosovës, pas një mocioni të suksesshëm mosbesi mi, sepse nuk është në diskrecionin tuaj që të impononi skenarë jo kushtetues. Po ashtu, përpos që është edhe një përkujtim se shëndeti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është prioriteti im dhe i Qeverisë, është ftesë që edhe Ju ta vendosni si prioritetin tuaj duke lënë mënjanë lojërat politike dhe duke mos rrezikuar më jetën dhe shëndetin e qytetarëve tonë”, shkruan ndër tjera Kurti në letrën e tij dërguar presidentit Thaçit./21Media