Kurti: Ismet Bugujevci është kënga e rritur në fëmijërinë time

 

Kryeministri Albin Kurti, ka vendosur lule dhe ka bërë homazhe para arkivolit të këngëtarit Ismet Bogujevci, trupi i të cilit gjendej në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në deklarimin para mediave pas homazheve, Kurti ka shpalosur disa kujtime nga fëmijëria dhe admirimin që kishte për Bogujevcin. Ai ka thënë se si fëmijë, teksa ndiqnin programin e vitit të ri në televizion, i prisnin me gëzim këngët e të ndjerit.

”Në vegjëli, se çka është martesa e mësuam prej prindërve, por edhe prej këngës ”Martesa jonë” të Ismet Bogujevcit. Edhe sot e kësaj dite kur e dëgjoj fjalën Kaçanik më ushtojnë veshët për shkak të vargut ”ushton Gryka e Kaçanikut” të kënduar nga Ismet Bogujevci. E për Tefik Çangën, shumë kohë para se ta marr vesh se është emri i një fabrike të drurit në Ferizaj, dhe i një partizani të Luftës së Dytë Botërore, kam ditur ta këndoj nga pak duke e imituar Ismet Bogujevcin”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar theksoi se Bogujevci ishte njeri tejet i mirë dhe i dashur.

”Ashtu siç do të na mungojë fizikisht dhe do të kemi mall për të shumë kohë të gjatë, njashtu edhe kënga e tij do të rrojë jo vetëm me brezin tonë, por edhe me ata që do të vijnë”, ka theksuar Kurti.

Kujtojmë se Ismet Bogujevci prej dekadash ka qenë pjesë e Ansamblit Kombëtar ”Shota”. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme, si dhe ka pasur shumë bashkëpunime. Ndër to mund të përmendim: ”Një lulishte”, ”Kënga e Jemenit”, ”Sillma erën e malit”, etj./21Media

Back to top button