Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e ardhshme do të zhvillojë vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të takohet me përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian.

Të njëjtën javë, por jo edhe në të njëjtën kohë, në Bruksel pritet të qëndrojë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ani pse u raportua se Kurti do të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Derisa ende nuk dihet data për rifillimin e dialogut, opozita i kërkon Kurtit platformën dhe parimet për dialogun, ndërkohë nga shoqëria civile thonë se dialogu pritet të rifillojë në muajin qershor.

Vizitën e Kurtit në Bruksel për kp e konfirmoi zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe Vuçiq”, bëri të ditur Kryeziu.