Kurti: Jemi të përkushtuar për siguri energjetike dhe energji të përballueshme

 

 

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, sot gjatë ditës priti në takim delegacionin nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i përbërë nga drejtori, Janez Kopac, zëvendësdrejtori, Dirk Buschle dhe eksperti i energjisë elektrike, Arben Kllokoqi.

Kurti e falënderoi Sekretariatin për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës përgjatë viteve në zbatimin e Acquis. Më tej, ai e njoftoi delegacionin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë për prioritetet e qeverisë në kuadër të sektorit të energjisë dhe Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, si dhe zotimet e qeverisë në raport me mjedisin.

Tutje tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për siguri energjetike dhe energji të përballueshme për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, synon diversifikimin e energjisë dhe është e interesuar për investime në efiçiencë të energjisë.

Përfaqësuesit e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë u zotuan që do të vazhdojnë të përkrahin sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë./21Media

Back to top button