Kurti: Jemi të shqetësuar për lidhjet e Serbisë me Rusinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i shqetësuar për ndikimin në rritje të Rusisë në Ballkan dhe po bën thirrje për veprim nga BE-ja.

Në intervistë për “Die Presse”, Kurti theksoi se Rusia është afruar me Kremlinin më shumë se çka qenë.
“Serbia së fundmi është afruar akoma më tepër me Kremlinin: Beogradi nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë pas sulmit në Ukrainë; Serbia lidhi marrëveshje për furnizim me gaz me Moskën dhe bashkëpunim në politikën e jashtme; dhe Aleksandar Vulin, një nga politikanët serb më pro-rus, u bë shef i Inteligjencës i Serbisë”, tha kryeministri Kurti.
Në pyetjen se a mund të ketë një tjetër përballje mes Kosovës dhe Serbisë në kufi, Kurti “shpreson që jo”, por që megjithatë ndjehet i shqetësuar për disa arsye.
“Shpresoj që jo. Por në të njëjtën kohë, mendoj për faktin se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe xhandarmërie përreth Kosovës. Në kufirin tonë dhe në veri të vendit pamë persona me shenja të bandës nacionaliste ruse të motoçikletave ‘Ujqërit e Natës’ dhe trupës mercenare ruse ‘Wagner’. Ne jemi të shqetësuar: jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë”, theksoi ai.
Tutje, kryeministri Kurti deklaroi se Serbia po përpiqet ta minojë shtetësinë e Kosovës, dhe se po intimidohet nga arritjet e vendit./21Media

Back to top button