Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, sot u prit në takim nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi.

Në takim, siç informoi qeveria, u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave dhe kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kryeministri Kurti theksoi angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi. Ai falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill.”, u bë e ditur në komunikatë.

Kryeministri Kurti tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.