​Kurti kërkon falënderim nga opozita për pjesëmarrjen e tij në seancë, infalcionin e quan të importuar

Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar falënderim dhe mirënjohje nga opozita për pjesëmarrje në seancën e jashtëzakonshme. Ai tha se për dallim nga tre kryetarët e partive opozitare, ai po merr pjesë në këtë seancë, ani pse e ftuar nga opozita.

Kështu u shpreh ai pas vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme dhe pasi erdhi me vonesë në sallë plenare.

“Një kryeministër që dëgjon tri orë e gjysmë, më pastaj vjen edhe në vazhdim të seancës e dëshiron së paku një falënderim edhe mirënjohje edhe a e dini pse? Sepse kryetarët e partive të juaja s’janë këtu. Pra, për dallim prej kryetarëve të partive tuaja asnjëri prej tre kryetarëve nuk është këtu, e këtu është kryeministri i Republikës. Prandaj e kërkoj një mirënjohje dhe falënderim që po marrë pjesë tash e gati pesë orë me juve për një seancë që e keni thirrur ju, jo unë. Unë mbase do të mund ta kuptoja kur mungojnë kryetarët e partive opozitare në seancën që e thirr kryeministri, veç në seancën që e thirr vet opozita edhe mos me ardh kryetarët e partive opozitare edhe mos me ja shpreh një falënderim dhe mirënjohje kryeministrit që ka ardhur, për besë nuk është fer”, deklaroi Kurti.

Derisa ka kritikuar kërkesën e opozitës për heqje të akcizës për karburantë, Kurti tha se “politika juaj nuk bëhet politikë e qeverisë”.

“Unë nuk jam kryeministër tash për herë të parë, jam kryeministër për herë të tretë. Që sa vjet jam kryeministër gjithmonë keni kërkuar me raste të caktuara herë hiqe akcizën, herë hiqe TVSh-në, nuk e kam bërë asnjërën, janë mbajtur zgjedhjet kam fituar veç më shumë, a e kuptoni. Pra, nuk është hera e parë që po bëni një kërkesë të re, çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton që edhe populli nuk është për atë që po më këshilloni dhe në anën tjetër duhet ta kuptoni që unë përfaqësoj një politikë tjetër. Ju e keni politikën e juaj, me të garoni në zgjedhje, me një politikë të caktuar fiskale, unë garoj me një tjetër politikë fiskale. Shpresoj që nuk jeni duke bërë kërkesë për tu anëtarësuar në LVV që t’i ndërrojë unë politikën fiskale. Nuk ka kuptim çfarë po thoni. Ajo është politika e juaj, politika e juaj nuk bëhet politikë e qeverisë sepse qeveria është mazhoranca që i ka fituar zgjedhjet”, shtoi Kurti.

Kurti tha se buxheti i shtetit më parë është vjedhur.

“Dilema a për qytetarin e Republikës, a për buxhetin e shtetit është dilemë false. Nuk është dilemë e vërtetë se qytetari i Republikës dhe buxheti i shtetit nuk janë dy anë të kundërta, janë në të njëjtën anë. A e dini kur qytetari i Republikës dhe buxheti i shtetit janë në dy anë të shtetit? Kur vidhet buxheti. E ajo ka qenë në të kaluarën. Tash nuk është më ajo. Dikur qytetari i Republikës dhe buxheti i shtetit kanë qenë në anë të kundërta, tash janë e njëjta anë. Sepse rritjen ekonomike nuk e mbajmë për shtetit por e shpërndajmë për popullsinë”, u shpreh ai.

Gjatë debatit parlamentar, Kurti tha para opozitës se inflacioni është i importuar dhe jo përgjegjësi e qeverisë.

‘‘Inflacioni është përgjithësisht i importuar, nuk është burimor. Nëse inflacioni do të ishte burimor ne do të mbanim kryekëput përgjegjësi. Por inflacioni është i importuar. Dhe kjo ndodh për shkak se të nderuar deputetë në Ngushticën e Hormuzit, anijet nuk janë me qymyr por janë me naftë. Po të ishin anijet me qymyr, unë do të kisha pranuar vërejtjet dhe kritikat. Por anijet janë me naftë, e qysh e dini gjithë ju, Kosova nuk ka burime të naftës e që besa nuk ka as rafineri të naftës”, përfundoi Kurti.

Back to top button