Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Sllovakia t’i bashkohet grupit të BE-së që e njeh Kosovën.

Këtë kërkesë Kurti e ka drejtuar te shefi e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik me të cilin u takua sot.

Kurti e falënderoi Kostilnik për vizitën dhe për mbështetjen në liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i bëri thirrje Sllovakisë që ta shtyjë përpara këtë vendim sa më shpejtë për qytetarët e Kosovës.

Gjithashtu Kurti ka mirëpritur interesimin e Sllovakisë për dialogun dhe theksoi se ai duhet të jetë i mirë përgatitur, me një qasje transatlantike dhe transformative, të udhëhequr nga vlerat demokratike.

Ai theksoi edhe faktin që Sllovakia si vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së mund të mbështesë dhe të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike, si dhe kërkoi mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në anën tjetër Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Kostilnik, falënderoi kryeministrin Kurti për pritjen dhe shprehu vullnetin për vazhdim të bashkëpunimit bilateral. Ai theksoi gatishmërinë e Sllovakisë për mbështetje në fushën e sundimit të ligjit dhe të ekonomisë./21Media