Kurti kërkon që “Bondsteel” të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të SHBA-së

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përsëriti kërkesën që kampi ushtarak “Bondsteel” që ndodhet në Kosovë, të kthehet në bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai këtë e bëri gjatë takimit me kongresistin amerikan Mondaire Jones në Washington D.C
Kryeministri Kurti e njoftoi kongresistin Jones për përpjekjet dhe angazhimin për të tërhequr investime, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për të krijuar vende pune të qëndrueshme dhe të mirëpaguara në Kosovë, njofton Zyra e kryeministrit.
Po ashtu bëhet e ditur se u diskutua për sigurinë në kontinentin e Evropës pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe rrezikun që ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor paraqet për paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Kryeministri Kurti vuri theksin te kërcënimi për sigurinë e Kosovës dhe rajonit që mund t’iu vijë nga aleanca ushtarake e Serbisë me Rusinë dhe theksoi nevojën për demilitarizimin e brezit tokësor disakilometërsh rreth kufirit të Kosovës, ku Serbia ka vendosur gjithsej 48 baza operuese ofensive (28 baza ushtarake dhe 20 sosh të xhandarmërisë).”, përfundon njoftimi./21Media

Back to top button