"Asokohe, në kushte pushtimi e okupimi, shqiptarët nuk e ulën kokën dhe nuk e pranuan ndarjen e Kosovës, ndërsa sot, në kushte lirie e pavarësie..."

“Asokohe, në kushte pushtimi e okupimi, shqiptarët nuk e ulën kokën dhe nuk e pranuan ndarjen e Kosovës, ndërsa sot, në kushte lirie e pavarësie…”

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti me rastin e 28 vjetorit të shpalljes së Kushtetetutës së Kaçanikut ka sjellur një nen të asaj kushtetute se si ajo e trajtonte çështjen e kufirit.

“Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi.”, ka cituar nenin 8 të kushtetutës, kreu i VV-së.

Sipas Kurtit, në kushte pushtimi shqiptarët nuk e pranuan ndarjen, ndërsa sot në kushte lirie sipas tij, Thaçi, Veseli e Haradinaj nuk e pyesin popullin as Kuvendin.

“Para 28 vitesh, më 7 shtator 1990, u shpall Kushtetuta e Kaçanikut. Ishte kjo Kushtetuta e Republikës së Parë të Kosovës, e Republikës së 2 Korrikut, e republikës-për-rezistencë. Shumë specialistë të së drejtës kushtetuese edhe sot thonë se ajo kushtetutë ishte më e përparuar se kjo që kemi, në shumë aspekte, duke garantuar të drejtat kombëtare, ato të pakicave e ato individuale, të drejtat pronësore dhe mirëqenien shoqërore.

Ja përshembull se si e trajtonte çështjen e kufijve të Kosovës Kushtetuta e Kaçanikut në Nenin 8:

“Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi.”

Asokohe, në kushte pushtimi e okupimi, shqiptarët nuk e ulën kokën dhe nuk e pranuan ndarjen e Kosovës. Ata kërkonin që vetëm Kuvendi dhe populli i Kosovës të merrte vendime sovrane. Ndërsa sot, në kushte lirie e pavarësie, e kemi një klikë pushtetarësh, me në krye Thaçin, Veselin e Haradinajn, që nuk e pyesin as popullin e as Kuvendin. Ata nuk e shpërfillin popullin vetëm kur e shfrytëzojnë, ndërsa Kuvendin nuk e bojkotojnë vetëm kur e manipulojnë.

Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, teksa përkujtojmë me respekt ata që e shkruan atë nën drejtimin e Prof. Dr. Gazmend Zajmit, le të kujtojmë po ashtu se populli ynë lirinë e ka kërkuar si republikë, e jo si monarki, ku vendimet i merr një diktator a tiran”, ka shkruar Kurti në facebook.

Më 07 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës./21Media