Kurti: Kushtëzimi i Serbisë me Asociacion është shndërruar në qëndrim të emisarëve
(Lajm i përditësuar)
Pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka mundur të pranojë kompromis mes propozimit të tij me sekuencë dhe kushtëzimit të Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nuk jemi në prillin e vitit 2013 kur në dhomë ndodheshin baronesha Ashton, këshilltari i saj Cooper dhe kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq. S’është marrëveshja e vitit 2013. Qartë Neni 10 i marrëveshjes bazike thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme të cilat të dialogut në Bruksel të cilat janë të obligueshme dhe valide. Janë 39 sosh gjithsej. Nuk mundet nga neni 10 nga 39 marrëveshje të përzgjidhet një e të vendoset sikur qerrja para kuajve. Të bëhet edhe thelb edhe parakusht. Një kushtëzim të tillë unë nuk e kam pranuar”, ka thënë ai para gazetarëve.
Ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Pas takimit, Vuçiq në një prononcim për media ka thënë se takimi ka përfunduar pa sukses.
Vuçiq: Bisedimet përfunduan pa sukses
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, përfunduan pa sukses “në kuptimin e gjetjes së një rruge të qartë drejt normalizimit të marrëdhënieve”.
“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiq gazetarëve.
“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe. Ky është thelbi i gjithçkaje. Serbia nuk ik nga detyrimet e saj”, shtoi ai.
Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel – për herë të parë pas më shumë se katër muajsh.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Nis takimi Kurti-Vuçiq
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nisën takimin në Bruksel – të parin pas më shumë se katër muajsh – në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.
Për herë të parë pas më shumë se katër muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i procesit, ka njoftuar se takimi i diplomatëve evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak, me Vuçiqin ka nisur në orën 9:00, ndërsa me Kurtin do të pasojë në orën 10:00.
Takimi trepalësh, sipas njoftimit, do të fillojë nga ora 11:00 dhe temë diskutimi do të ketë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.
Kurti dhe Vuçiq takohen sot në Bruksel
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq sot (e enjte) do të kenë takime bilaterale me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas agjendës së bërë publike nga BE-ja, takimet do të nisin sot nga ora 9:00.
Pas takimeve bilateraledo të ketë edhe takim trilateral, ku pas kësaj pritet të ketë një deklaratë për media nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili do të shpalosë detaje rreth takimit.
Kjo është hera e parë që Kurti e Vuçiqi takohen që prej 2 majit dhe i pari prej përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.