Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se data 27 qershor e caktuar për vijimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i shërben vetëm kësaj të fundit. Sipas tij, ky takim mbahet pas zgjedhjeve në Serbi dhe takimit Vuçiq-Putin në Moskë.

“Rifillimi i dialogut po i përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje. Data 27 qershor e takimit është aty sepse vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiq shkon në Moskë për t’u takuar me Putinin”, shkroi Kurti.

“Në anën tjetër, që Serbia të jetë e kënaqur, u sajua një qeveri koti në Kosovë e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe, që hoqi reciprocitetin me Serbinë dhe ju zotua emisarit Grenell që nuk do të kërkojë anëtarësim për Kosovën në organizatat ndërkombëtare. (Kjo e fundit është heqje dorë nga neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.)”, ka shkruar tutje Kurti.

Sipas kreut të VV-së, takimi në Uashingtoni duket si njëditor dhe jo proces i dialogut dhe një qasje e tillë është e dëmshme për vendin që pranohet vetëm nga Thaçi e Hoti.

“Në fakt, më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet. Qasja e këtillë asimetrike që ka për pikënisje pabarazinë e normuar midis Kosovës e Serbisë, sjell veçse marrëveshje të dëmshme, rrjedhimisht të papranueshme e të pazbatueshme. Andaj kjo gjen mbështetje vetëm te politikanë e zyrtarë që nuk përfaqësojnë popullin, sikurse Thaçi e Hoti”, përfundoi Kurti.

Emisari special i presidentit të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell ka konfirmuar datën e diskutimeve për dialogun Kosovë-Serbi në Uashington./21Media