Kurti me letër mbështetëse për FFK-në pas eliminimit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër zyrtare presidentit të FFK-së, Agim Ademi, duke shprehur mirënjohjen e tij të thellë për rrugëtimin historik të “Dardanëve” në kualifikimet për Botërorin 2026.
Edhe pse ëndrra u ndal në finale të play-off-it, Kurti ka vlerësuar lart punën e stafit teknik dhe përzgjedhësit Franco Foda, duke thënë se: “Puna, përkushtimi dhe serioziteti që janë ndërtuar në këtë ekip nuk humbin brenda një ndeshjeje”.
Në mesazhin e tij, kryeministri pranoi dhimbjen e humbjes ndaj Turqisë, por u bëri thirrje drejtuesve të futbollit që të mos ndalen në rrugëtimin e nisur.
“E di që humbja e djeshme dhemb, sidomos kur ishim aq afër,” shkroi Kurti, duke shtuar se rezultati final është i rëndësishëm, por besimi që i është dhënë kombit është një arritje edhe më e madhe.
Ai kërkoi fokus të plotë te kualifikimet për Kampionatin Evropian, duke e mbyllur letrën me premtimin se qeveria dhe populli do të jenë: “bashkë në çdo hap” drejt sukseseve të radhës.