Kurti: Mërgata, burim që ndihmon në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës

(Lajm i përditësuar)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur nga mërgata në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë e Luksemburg, në një organizim të Konsullatës së Përgjithshme në Kosovës në Strasburg.

Në këtë takim, Kurti e ka cilësuar mërgatën si aset që ndihmon në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë.

“Përvoja dhe njohuritë që mërgata i sjell në atdhe, janë një burim jashtëzakonshëm i pasurisë dhe mund të ndihmojnë në ngritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë. Kryeministri Kurti i falënderoi për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin e pareshtur të tyre për vendin dhe shtetin përgjatë secilës fazë të tij”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Gjatë këtij takimi, thuhet se Kurti ka prezantuar para tyre punën e Qeverisë përgjatë dy vjetëve dhe qasjen e saj për mërgatën.

“Kryeministri Kurti përmendi dhe krijimin e Fondit Sovran, i cili do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë 4.54 miliardë euro si remitenca dhe 1.54 miliardë euro si investime të huaja direkte. Por mërgata është shumë më tepër sesa kontribuese kyçe në ekonominë e vendit. Atë e shohim dhe si një burim shumë të rëndësishëm të dijes dhe përvojës për Kosovën, e cila mund të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të profesionistëve e të organizatave”, thuhet më tej në njoftimin e ZKM-së.

18:27 – Kurti takon eurodeputetin bullgar, merr mbështetje për aplikimin e Kosovës në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me amabasdorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, takuan eurodeputetin bullgar, Andrey Kovatchev, nga grupi i Partisë Popullore Evropiane.

Kurti e Kovatchev folën për takimin e 18 marsit në Ohër mes Kosovës e Serbisë por edhe për pritjet e takimit.

“Në takim u diskutua mbi reformat e ndërmarra nga Qeveria dhe progresi i shënuar, rrugëtimin evropian dhe procesin e dialogut. Kryeministri Kurti e njoftoi eurodeputetin Kovatchev me arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbush plot dy vjet, duke veçuar sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit të reflektuara dhe në raportet e rankimet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndërsa, bëhet e ditur se Kovatchev tha se heqja e vizave për Kosovën duhet të vazhdojë pa vonesa, teksa sipas tij, kanë mbetur edhe pak hapa deri në përfundimin e këtij procesi.

“Ai po ashtu dha mbështetjen e tij të plotë për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

16:39 – Kurti takon eurodeputetin Reuten: Kosovarëve t’iu jepet perspektiva evropiane

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Strasburg, ka takuar raportuesin e Parlamentit Evropian mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Thijs Reuten.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur se eurodeputeti holandez përgëzoi Republikën e Kosovës për progresin në zbatimin e reformave të agjendës evropiane e politikat qeverisëse si dhe përparimin e bërë në zhvillim ekonomik, demokratizim e sundim të ligjit.

Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e tij të vazhdueshme dhe të grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), ndaj vendit tonë në çështjen e liberalizimit të vizave, aplikimit për anëtarësim në BE, e rrugëtimit tonë të përgjithshëm evropian.

Hapi i ndërmarrë nga ana e Kosovës përmes aplikimit për anëtarësim në BE ishte temë e rëndësishme e diskutimit, ku u theksua se ka qenë i natyrshëm, vullnet i qytetarëve dhe dëshmia e radhës e orientimit të vendit ndaj vlerave e standardeve demokratike e evropiane.

Eurodeputeti Reuten tha se është e rëndësishme që qytetarëve të Kosovës t’iu jepet perspektiva evropiane dhe të ecet përpara drejt një procesi kredibil të bazuar në meritokraci e shënim të progresit.

Duke e ftuar eurodeputetin Reuten që ta vizitojë vendin tonë në muajt në vijim, Kurti e falënderoi për takimin dhe diskutimet e shpeshta, produktive e të frytshme me të dhe eurodeputetët socialdemokratë.

Back to top button