Kurti në “Let’s Talk” dëgjon histori suksesi nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori sot pjesë në eventin “Let’s Talk”, histori suksesi me tre persona nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian.
Në këtë aktivitet, organizuar nga OJQ VoRAE, kryeministri Kurti pati mundësinë të dëgjojë së afërmi historitë e suksesit të Elmira Pajazitit nga Gjakova, Berat Thaqit po ashtu nga Gjakova dhe Qëndresa Ademit nga Fushë Kosova.
“Është kënaqësi që sot të dëgjojmë përvoja të paharrueshme të të rinjve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Kosova jonë është e mbushur me profesionistë të shumtë, në fusha të ndryshme e nga komunitete të ndryshme, të cilët jetojnë e veprojnë në vend. Këtë gjë, më së miri do të na e dëshmojnë me rrëfime, emocione dhe histori, të shoqëruara me sfida personale, folësit tanë kryesorë. Ata janë frymëzuesit për të gjithë dhe secilin prej nesh,” tha Kurti.
Duke folur rreth fushës së arsimit, kryeministri tha se Qeveria ka investuar 200 mijë euro në qendra mësimore si ndihmë për suksesin e nxënësve rom, ashkali dhe egjiptian, ka ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të këtyre komuniteteve.
Po ashtu, në vitin akademik 2022/2023 janë ndarë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1000 euro secila për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024, po mbështeten me 55 bursa studentët nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem.
Kurti përmendi masat afirmative për kyçjen në punë, si për nga njohja e diplomave, ashtu edhe për qasjen në vendin e punës përmes konkurseve publike, themelimin e grupit punues ndërinstitucional për parandalimin e raportimin e martesave të hershme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, regjistrimi i popullsisë dhe punën e Ekipit Ndërinstitucional për Punësimin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, si dhe hapat e vazhdueshëm që sa më shumë prej këtyre komuniteteve të jenë pjesë e tregut të punës.