Kurti në Madrid: Serbia u përpoq ta minojë sundimin e ligjit në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në Kongresin e 26-të të Internacionales Socialiste që po mbahet në Madrid të Spanjës, ka folur edhe për Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se përbërësi që mungon për paqe në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një Serbi demokratike.
Sipas kreut të qeverisë, fqinji verior i Kosovës – Serbia, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj Kosovës dhe me lidhje të gjera e të ngushta me Kremlinin.
“Fatkeqësisht, fqinji ynë në veri, dhe ai me të cilin Republika e Kosovës ndan kufirin më të gjatë, është ende një vend autoritar me aspirata territoriale ndaj nesh dhe me lidhje të gjera dhe të ngushta me Kremlinin. Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, ata na kanë kërcënuar vazhdimisht me sjellje luftarake. Deri më sot, ata mbajnë 48 instalime ushtarake dhe xhandarmërie në të gjithë kufirin e saj me Kosovën. Për më tepër, që nga shpallja jonë e pavarësisë në vitin 2008, ajo është angazhuar vazhdimisht në fushata që synojnë të minojnë shtetësinë tonë”, tha ai.
Më tej, Kurti tha se ndonëse Serbia kërkoi mendimin e GJND-së rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, ajo ka zgjedhur të mos i respektojë gjetjet e gjykatës dhe së fundi, sipas tij, Serbia është përpjekur të përdorë ndikimin e saj në veri të Kosovës për të minuar sundimin e ligjit./21Media

Back to top button